“Ahmed ibn Hanbeli na ka thënë: Na ka treguar Jahja ibn Seidi nga Sufjani, e këtij i ka treguar Habibi, e ky nga Seidi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Për shkak të gjenealogjisë ju ndalohet të martoheni me shtatë gra dhe për shkak të krushqisë me shtatë të tjera. Pastaj e lexoi ajetin: “Ju ndalohet martesa me nënat tuaja...” (Nisa, 23) Abdullah ibn Xhaferi i ka bashkuar nën një kurorë të bijën dhe gruan e Aliut (kjo nuk ishte nëna e së parës). Ibn Sirini ka thënë se kjo gjë është e lejuar. Ndërkaq, Haseni, në fillim, urrente një gjë të tillë, por pastaj e lejoi (bashkimin e gruas dhe vajzës së një burri, nën një kurorë). Hasen ibn Hasen ibn Aliu i bashkoi në një kurorë, brenda një nate, dy vajzat e xhaxhallarëve. Ndërkaq, Xhabir ibn Zejdi e urrente këtë gjë, për shkak të shkëputjes së lidhjes familjare, edhe pse nuk është e ndaluar, duke u bazuar në ajetin: “Ju janë lejuar të tjerat (përveç atyre që u përmendën)...” (Nisa, 24) Ikrime tregon se Ibn Abasi ka thënë: “Nëse dikush bën amoralitet me motrën e gruas, nuk i bëhet haram gruaja e tij.” Tregohet se Jahja Kindiu ka transmetuar prej Shabiut dhe Ebu Xhaferit fjalët: “Atij që dëfrehet me një fëmijë mashkull dhe bën homoseksualizëm me të, nuk i lejohet të martohet me nënën e atij fëmije.” Por, ky farë Jahjai nuk është i njohur dhe askush tjetër nuk i ka transmetuar këto fjalë kështu. Ikrime tregon se Ibn Abasi ka thënë: “Nëse bën amoralitet me nënën e gruas, nuk i bëhet haram gruaja e tij.” Ndërkaq, Ebu Nasri përcjell nga Ibn Abasi se kjo vepër e bën të ndaluar (gruan e tij). Por, ky farë Ebu Nasri nuk njihet se ka mësuar prej Ibn Abasit. Ndërkaq, nga Imran ibn Husajni, Xhabir ibn Zejdi, Haseni dhe disa banorë të Irakut përcillet: “(Nëse bën amoralitet me nënën e gruas) gruaja i bëhet e ndaluar.” Ebu Hurejra ka thënë: “Gruaja nuk i bëhet e ndaluar, derisa ta shtrijë përtokë (nënën e gruas).” Pra, derisa të bëjë marrëdhënie intime me të. Ibn Musejebi, Urve dhe Zuhriu kanë thënë: “(Edhe nëse e bën këtë) gruaja i lejohet atij. Zuhriu tregon se Aliu ka thënë: “Nuk i ndalohet.” Por, edhe ky transmetim është i shkëputur.””