“Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku nga Ibn Shihabi se Sehël ibn Sad Saidiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Uvejmir Axhlani vajti tek Asim ibn Adij Ensariu e i tha: “O Asim, çka thua për dikë që gjen një burrë tjetër me gruan e tij? A e vret atë, e pastaj edhe këtë ta vrisni, apo si të veprojë? O Asim, pyete për mua të Dërguarin e Allahut ﷺ në lidhje me këtë.” Kështu, Asimi e pyeti të Dërguarin e Allahut ﷺ për këtë, ndërsa i Dërguari i Allahut ﷺ i urrente pyetjet (për gjëra që nuk kanë ndodhur) dhe i qortonte, saqë i erdhi rëndë Asimit për atë që e dëgjoi prej të Dërguarit të Allahut ﷺ. Pasi Asimi u kthye te familja e tij, i vajti Uvejmiri e i tha: “O Asim, çka të tha i Dërguari i Allahut ﷺ?” - Ti nuk më erdhe me të mira (pyetje me vend). I Dërguari i Allahut e urreu pyetjen që e ke parashtruar ti, - tha Asimi. - Për Allah, nuk do të ndalem derisa ta pyes vetë në lidhje me këtë, - tha Uvejmiri, pastaj u kthye derisa arriti tek i Dërguari i Allahut ﷺ në mes të njerëzve dhe tha: “O i Dërguari i Allahut, çka thua për dikë që gjen një burrë tjetër me gruan e tij? A e vret atë, e pastaj edhe këtë ta vrisni, apo si të veprojë?” Atëherë, i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Allahu zbriti shpallje për ty dhe për gruan tënde, andaj shko dhe sille atë.” Sehli shtoi: “Kështu, ata dy mallkuan njëri-tjetrin (bënë lian), ndërkohë unë isha me sahabët tek i Dërguari i Allahut ﷺ.” Pasi e mbaruan lianin, Uvejmiri tha: “O i Dërguari i Allahut, nëse e mbaj atë, llogaritem se kam gënjyer për të.” Prandaj, e shkurorëzoi tri herë, para se ta urdhëronte i Dërguari i Allahut ﷺ.” Ibn Shihabi tha: “E tillë mbeti tradita e bashkëshortëve që mallkohen mes vete.””