“Jahjai na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdurrezaku, e këtij i ka rrëfyer Ibn Xhurejxhi, e këtij i ka rrëfyer Ibn Shihabi, rreth çështjes së mallkimit të ndërsjellë (lianit) mes bashkëshortëve dhe Sunetit, se Sehël ibn Sad Saidiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një burrë ensar vajti tek i Dërguari i Allahut ﷺ e i tha: “O i Dërguari i Allahut, çka thua për dikë që gjen një burrë tjetër me gruan e tij? A e vret atë, apo si të veprojë?” Për çështjen e tij Allahu zbriti ajetet e Kuranit ku përmendet mallkimi i ndërsjellë (mes bashkëshortëve). Pejgamberi ﷺ i tha: “Allahu gjykoi për ty dhe për gruan tënde.” Ata dy mallkuan njëri-tjetrin (bënë lian) në xhami, ndërkohë unë isha i pranishëm. Pasi e mbaruan, ai tha: “O i Dërguari i Allahut, nëse e mbaj atë, llogaritem se kam gënjyer për të.” Pasi e mbaruan lianin, ai e shkurorëzoi tri herë, para se ta urdhëronte i Dërguari i Allahut ﷺ. Ai e shkurorëzoi atë në prani të Pejgamberit ﷺ . Pejgamberi ﷺ tha: “Kjo është ndarja në mes çdo dy bashkëshortëve që mallkohen mes vete.” Ibn Xhurejxhi transmeton se Ibn Shihabi ka thënë: “Pas këtyre dyve mbeti traditë (sunet) që bashkëshortët që mallkohen mes vete, të ndahen. Ajo kishte mbetur shtatzënë, andaj djali i saj thirrej në emër të nënës. Po ashtu, mbeti traditë (sunet) në trashëgimi që ajo të trashëgojë prej tij dhe ai të trashëgojë prej saj atë që Allahu ia ka obliguar atij. Ibn Xhurejxhi transmeton se Ibn Shihabi ka thënë: “Sehël ibn Sad Saidiu, në lidhje me këtë hadith, thotë se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nëse fëmija lind i kuq e i shkurtër, sikurse (lloj) zhapiu, mendoj se ajo e ka thënë të vërtetën dhe se ai ka gënjyer për të. E, nëse ai lind i zi, me sy të mëdhenj e me vithe të mëdha, mendoj se ai e ka thënë të vërtetën për të.” Ajo e lindi (të zi), ashtu siç ishte i keqpritur.””