“Mekij ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka rrëfyer Xhuajdi nga Aishe bint Sadi se Sad ibn Ebu Vekasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Teksa isha në Mekë, u sëmura rëndë dhe Pejgamberi ﷺ erdhi të më vizitojë, e unë i thashë: “O i Dërguari i Allahut, unë po lë pasuri, ndërsa trashëgimtar kam vetëm një vajzë, andaj a t'i lë testament (lëmoshë) dy të tretat e pasurisë, kurse një të tretën (për vajzën)?” - “Jo”, - më tha ai. - A ta lë testament gjysmën, ndërsa gjysmën jo? - i thashë. - “Jo”, - më tha ai. - Atëherë, po e lë testament një të tretën, kurse dy të tretat për vajzën? - i thashë. - “Një të tretën, e edhe një e treta është shumë”, - më tha ai. Pastaj, e vendosi dorën në ballë, e fërkoi me dorë fytyrën e barkun tim dhe tha: “O Allah, shëroje Sadin dhe plotësoja hixhretin (të kthehet prapë në Medinë) !” (Sadi thoshte:) “Vazhdoj ta ndiej freskinë e dorës së tij në mëlçinë time dhe ta parafytyroj deri në këtë moment.””