“Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Abdulhamid ibn Abdurrahman ibn Zejd ibn Hatabi, e ky nga Abdullah ibn Abdullah ibn Harith ibn Neufeli se Abdullah ibn Abasi tregon se Omer ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) u nis drejt Shamit (bashkë me ushtrinë). Kur arritën në vendin e quajtur Serga, udhëheqësit e ushtrive i erdhën për ta takuar, në mesin e të cilëve edhe Ebu Ubejde ibn Xherrahu me shokët e tij. Ata e njoftuan Omerin se në tokën e Shamit kishte rënë epidemia. Ibn Abasi vazhdon të tregojë se Omeri tha: “M'i thirrni këtu muhaxhirët e parë.” Pasi vajtën, u konsultua me ta, duke i treguar se Shamin e kishte goditur epidemia, por ata nuk mbanin të njëjtin qëndrim.” Dikush prej tyre tha: “Tanimë ke nisur një punë, andaj mendojmë se nuk duhet të kthehesh mbrapa.” Disa të tjerë thanë: “Me vete ke pjesën tjetër të njerëzve, ndër ta edhe shokët e të Dërguarit të Allahut ﷺ, prandaj nuk mendojmë se është e arsyeshme t'i vësh ata përballë kësaj epidemie.” Omeri tha: “Ngrihuni tani!” Pastaj urdhëroi t'ia thërrisnin ensarët. Ia thirra, e ai u konsultua edhe me ta, por edhe ata ndoqën metodën e muhaxhirëve: kishin qëndrime të ndryshme sikurse ata.” Atëherë tha: “Ngrihuni tani!” Pastaj tha: “M'i thirr këtu muhaxhirët e moshuar që janë me ne, të cilët kanë bërë hixhret në vitin e Çlirimit të Mekës!” I thirra dhe, ja, të gjithë ishin të një mendimi.” Ata thanë: “Mendojmë të kthehemi mbrapsht bashkë me popullin dhe të mos i vësh ata përballë kësaj epidemie.” Atëherë Omeri iu drejtua njerëzve me zë të lartë: “Në agim do t'u hipim kafshëve për t'u kthyer, andaj rrini gati në agim!” Në atë moment, Ebu Ubejde ibn Xherrahu u ngrit dhe i tha: “A po ikën nga caktimi i Allahut?” Omeri ia ktheu: “Ah, sikur ta thoshte këtë dikush tjetër, o Ebu Ubejde! Po pra, po ikim nga caktimi i Allahut në caktimin e Allahut.” Dhe shtoi: “Paramendoje sikur të kishe me vete ca deve, të cilat kanë zbritur në një luginë që, njërën anë e ka pjellore, kurse tjetrën shterpë. A nuk pajtohesh se, nëse do t'i kullosje devetë në anën pjellore, do ta bëje këtë me caktimin e Allahut, e, nëse do t'i kullosje në anën shterpë, do ta bëje këtë me caktimin e Allahut?” Ndërkohë në vendngjarje arriti Abdurrahman ibn Aufi, i cili kishte qenë i zënë me disa nevoja të tij personale. Unë kam njohuri për këtë çështje, - tha ai. E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Nëse dëgjoni se ka rënë (murtaja) në ndonjë vend, mos hyni në të, e, nëse jeni në ndonjë vend të prekur nga ajo, mos dilni prej aty për të ikur prej saj!” - shtoi Abdurrahmani. Ibn Abasi tha: “Omeri e lavdëroi Allahun për këtë dhe u largua.””