“Abdullah ibn Mesleme transmeton nga Maliku, e ky nga Nafiu, e ky nga Kasim ibn Muhamedi se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, tregon se bleu një jastëk me vizatime. Kur i Dërguari i Allahut ﷺ e pa, u ndal te dera dhe nuk hyri. Ia vërejta pakënaqësinë në fytyrë, andaj i thashë: - O i Dërguari i Allahut, pendohem tek Allahu dhe tek i Dërguari i Tij ﷺ, çfarë mëkati kam bërë? - “Ç'është puna e këtij jastëku?” - pyeti Pejgamberi ﷺ. - E kam blerë për ty, që të ulesh dhe të shtrihesh në të. - “Piktorët e këtyre pikturave (të frymorëve) do të dënohen Ditën e Kiametit dhe do t'u thuhet: “Jepuni jetë gjërave që i keni krijuar.” Dhe tha: “Në atë shtëpi ku ka piktura nuk hyjnë melekët.””