“Abdurrahman ibn Ibrahimi më ka thënë: Na ka treguar Velidi, e ky nga Evzaiu, e ky nga Zuhriu, e ky nga Ebu Seleme dhe Dahaku se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një ditë, teksa Pejgamberi ﷺ po ndante një pasuri, Dhul Huvejsira, një pjesëtar i fisit temim, tha: “O i Dërguari i Allahut! Ji i drejtë!” Pejgamberi ﷺ ia ktheu: “Mjerë ti! E kush do të tregohet i drejtë, nëse nuk tregohem unë?” Omeri tha: “O i Dërguari i Allahut, më jep leje t'ia pres kokën!” Por, Pejgamberi ﷺ i tha: “Lëre, se ky ka ca pasues që ju e nënvlerësoni namazin tuaj kundrejt namazit të tyre dhe agjërimin tuaj kundrejt agjërimit të tyre. Dalin prej fesë ashtu siç del shigjeta anë e përtej gjahut: kur i shikohet maja, nuk i vërehet asgjë, shikohet fundi i majës, sërish asgjë, shikohet thupra, nuk ka asnjë shenjë, shikohet fundi i thuprës, sërish nuk vërehet asgjë. Pra, as gjurmë zorrësh, as gjak. Do të shfaqen atëherë kur njerëzit përçahen mes vete. Shenjë e tyre është një burrë, dora e të cilit duket sikurse gjiri i femrës ose sikurse një copë mishi që lëkundet andej-këndej.” Ebu Seidi thotë: “Dëshmoj se këtë hadith e kam dëgjuar prej Pejgamberit ﷺ dhe dëshmoj se kam qenë me Aliun kur i pati luftuar dhe pati dhënë urdhër të kapet personi të cilin Pejgamberi ﷺ e kishte përshkruar.””