“Jahja ibn Sulejmani na ka thënë: Na ka treguar Ibn Vehbiu, e këtij i ka rrëfyer Junusi, e ky nga Ibn Shihabi se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur i Dërguari i Allahut ﷺ erdhi në Medinë, unë isha dhjetëvjeçar. Të Dërguarit të Allahut ﷺ gjatë jetës së tij i kam shërbyer dhjetë vjet me radhë, andaj, kur zbritën ajetet e mbulesës, isha njeriu më i ditur për këtë çështje, saqë Ubej ibn Kabi më pyeste mua për të. Ajetet e para që kanë zbritur (për mbulesën) janë ato që kanë të bëjnë me martesën e të Dërguarit të Allahut ﷺ me Zejnebe bint Xhahshin. Ditën që Pejgamberi ﷺ hyri dhëndër me të, i ftoi njerëzit (në gosti). Të gjithë hëngrën dhe dolën, përveç një grupi, të cilët mbetën tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe e zgjatën ndejën. I Dërguari i Allahut ﷺ u ngrit dhe doli. Edhe unë dola pas tij, në mënyrë që edhe ata të dilnin. Pejgamberi ﷺ eci, e edhe unë bashkë me të, derisa arriti te pragu i dhomës së Aishes. Pasi të Dërguarit të Allahut ﷺ ia mori mendja se mund të kenë shkuar, u kthye, e edhe unë u ktheva me të. Kur hyri në dhomën e Zejnebes, ja, ata ende po rrinin ulur, nuk ishin shpërndarë. Pejgamberi ﷺ sërish u kthye, e edhe unë u ktheva me të, derisa arriti te pragu i dhomës së Aishes. Pasi ia mori mendja se mund të kishin shkuar, u kthye, e edhe unë u ktheva me të. Ata tashmë kishin shkuar. Si rrjedhojë, zbriti ajeti i hixhabit dhe Pejgamberi ﷺ e lëshoi perden mes meje dhe tij.””