“Ebu Numani na ka thënë: Na ka treguar Muëtemiri, e këtij i ka thënë babai i tij, e këtij i ka treguar Ebu Mixhlezi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur Pejgamberi ﷺ u martua me Zejneben, disa burra erdhën (në gosti) dhe hëngrën, pastaj vazhduan ndejën duke biseduar. Pejgamberi ﷺ bënte sikur donte të ngrihej, por ata nuk u ngritën. Kur e pa këtë, ai u ngrit, e në atë rast disa prej tyre u ngritën, disa mbetën aty. Kur Pejgamberi ﷺ u kthye dhe deshi të hyjë brenda, pa se ata ende ishin duke ndenjur. Më vonë, kur ata u ngritën dhe shkuan, unë shkova dhe e lajmërova Pejgamberin ﷺ, e në atë rast ai erdhi dhe u fut brenda. Unë desha të hyj me të, por ai e lëshoi perden mes meje dhe tij. Atëherë Allahu e zbriti ajetin: “O besimtarë, mos hyni në shtëpitë e të Dërguarit, përveç rastit kur ju është dhënë leje për të ngrënë, por jo të pritni përgatitjen e tij (ushqimit)! Hyni vetëm kur t'ju thërrasin dhe, pasi të hani, shpërndahuni! Mos qëndroni pas ushqimit për të biseduar me njëri-tjetrin. Kjo, me të vërtetë, e shqetësonte të Dërguarin e ai turpërohej (që t'jua thoshte këtë), ndërsa Allahu nuk turpërohet që t'jua thotë të vërtetën. Kur të kërkoni prej grave të Pejgamberit diçka, kërkojeni prapa perdes! Kjo është më e pastër për zemrat tuaja dhe të tyre. Juve nuk ju lejohet që ta shqetësoni të Dërguarin e Allahut, as që të martoheni me gratë e tij pas (vdekjes së) tij kurrë. Kjo është vërtet gjynah i madh para Allahut.” (Ahzab, 53) Ebu Abdullahu (Buhariu) thotë: “Prej dobive të hadithit është se Pejgamberi ﷺ nuk kërkoi leje prej tyre kur u ngrit dhe doli. Po ashtu, ai bënte sikur po ngrihej, por në të vërtetë donte që ata të ngriheshin.””