“Ibrahim ibn Mundhiri na ka thënë: Na ka treguar Enes ibn Ijadi, e ky nga Hishami, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Të Dërguarit të Allahut ﷺ iu bë sihër, saqë i përfytyrohej se bënte diçka, të cilën në realitet nuk e bënte. Ai e luti Allahun, pastaj më tha: “A e di se Allahu më njoftoi për atë që e kam lutur?” I thashë: “E çfarë është ajo, o i Dërguari i Allahut?” Pejgamberi ﷺ tha: “Erdhën dy burra dhe njëri m'u ul te koka, kurse tjetri te këmbët. Njëri i tha tjetrit: - Çfarë sëmundjeje ka ky burrë? - I është bërë sihër, - tha tjetri. - Kush i ka bërë sihër? - pyeti i pari. - Lebid ibn Asami. - Në çfarë? - Në krehër me flokë dhe thek të hurmës. - Ku janë të vendosura këto? - Në pusin Dhervan, - tha tjetri.” Dhervani ka qenë një pus te fisi benu zurejk. Kështu, Pejgamberi ﷺ shkoi te pusi, pastaj u kthye tek unë dhe më tha: “Betohem në Allahun se uji i atij pusi sikur kishte marrë ngjyrë të kuqërremtë, ndërsa palmat e hurmave (afër pusit) dukeshin si koka shejtanësh.” I Dërguari i Allahut ﷺ u kthye tek unë dhe më tregoi për pusin. Unë e pyeta: “O i Dërguari i Allahut! A e nxore sihrin prej aty?” Ai më tha: “Sa më përket mua, Allahu më shëroi, kështu që nuk kisha dëshirë që të keqen t'ua shpalos njerëzve.” Isa ibn Junusi dhe Lejth ibn Sadi transmetojnë nga Hishami, e ky nga babai i tij, e ky nga Aishja se ka thënë: “Pejgamberit ﷺ iu bë sihër dhe u lut shumë. Pastaj solli hadithin (e mësipërm).””