“Ali ibn Huxhri na ka thënë: Na ka treguar Ismail ibn Ibrahimi, e ky nga Ejubi, e ky nga Kasim Tejmiu se Zehdem Xhermiu tregon: “Mes nesh dhe një lagjeje të fisit xherm kishte vëllazëri dhe mirësi. Kështu, teksa po rrinim tek Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!), sollën ca ushqime, ndër të cilat kishte edhe mish pule. Në mesin tonë ishte edhe një pjesëtar i fisit tejmullah, i racës së kuqe 1 , sikur të ishte rob, i cili nuk u afrua fare (tek ushqimi).” Ebu Musai i tha: “Afrohu, sepse e kam parë të Dërguarin e Allahut ﷺ duke ngrënë prej këtyre ushqimeve!” Ai ia ktheu: “Por, unë e kam parë pulën të hajë diçka që më ka bërë të neveritem, andaj jam betuar se s'do të ha më pulë.” Atëherë Ebu Musai iu drejtua: “Eja të të tregoj diçka (për betimin tënd). Njëherë, patëm shkuar tek i Dërguari i Allahut ﷺ bashkë me një grup të fisit eshari, që t'i kërkojmë kafshë bartëse (për luftë), teksa ai po i ndante devetë e sadakasë, - Ejubi thotë: “Mendoj se ka thënë: “... kur ai ishte i zemëruar. Pejgamberi ﷺ na tha: “Betohem në Allahun se nuk do t'ju marr, por as kam me se ju bart.” Mirëpo, pasi u kthyem, të Dërguarit të Allahut ﷺ i erdhi një tufë devesh (nga plaçka e luftës), andaj pyeti: “Ku janë esharinjtë? Ku janë esharinjtë?” Si rrjedhojë, ne u kthyem dhe ai dha urdhër të na jepen pesë deve gungëbardha (të majme). Nuk shkuam shumë larg dhe u thashë shokëve: “Ne shkuam tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i kërkuam të na japë kafshë bartëse, por ai u betua se s'do të na japë, mirëpo na thirri prapë dhe na dha. Pejgamberi ﷺ e harroi betimin! Betohem në Allahun se, nëse e shpërfillim betimin e të Dërguarit të Allahut ﷺ, kurrë nuk do të shpëtojmë. Andaj, të kthehemi tek ai dhe t'ia kujtojmë betimin.” Kështu, u kthyem dhe i thamë: “O i Dërguari i Allahut, ne erdhëm te ti dhe kërkuam të na japësh kafshë bartëse, ndërsa ti u betove se s'do të na japësh, por, pastaj na dhe, andaj menduam se e ke harruar betimin. Pejgamberi ﷺ u përgjigj: “Vazhdoni, sepse Allahu jua ka mundësuar të vini. Betohem në Allahun se, me lejen e Tij, sa herë që betohem për diçka, ndërkohë kuptoj se ka një zgjidhje më të mirë, veproj atë që është më e mira dhe e shpaguaj betimin.” Transmetimin e Ismail ibn Ibrahimit e fuqizon Hamad ibn Zejdi nga Ejubi, e ky nga Ebu Kilabe dhe Kasim ibn Asim Kulejbiu. Kutejbe na ka thënë: “Këtë na ka treguar Abdulvehabi nga Ejubi, e ky nga Ebu Kilabe dhe Kasim Tejmiu, e këta nga Zehdemi. Ebu Mameri na ka thënë: “Këtë na ka treguar Abdulvarithi, e këtij i ka treguar Ejubi nga Kasimi, e ky nga Zehdemi.””