“Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Shejbani, e ky nga Jahjai, e ky nga Ebu Seleme, e ky nga Ebu Hurejra se fisi huzaë kishin vrarë një njeri ... [t]: Abdullah ibn Rexhai na ka thënë: Na ka treguar Harb ibn Jahjai, e këtij i ka treguar Ebu Seleme se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në vitin e Çlirimit të Mekës disa pjesëtarë të fisit benu huzaë vranë një pjesëtar të fisit benu lejth, si hakmarrje për një të vrarë të tyre të periudhës paraislame. I Dërguari i Allahut ﷺ u ngrit dhe tha: “Allahu e ka penguar elefantin (e Ebrehesë) të hynte në Mekë dhe mekasit i ka vënë nën pushtetin e të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe besimtarëve. Vini re! Lufta në të nuk i është lejuar askujt, as para meje, as pas meje. Mua më është lejuar vetëm për një pjesë të ditës, porse tani më është ndaluar edhe mua. Në të nuk lejohet as shkulja e gjembave e as dëmtimi i pemëve, si dhe nuk merret gjëja e humbur, përveç nëse lajmërohet. Familja e të vrarit ka dy zgjedhje: o shpaguhet gjaku i të vrarit, o merret hak për të (ekzekutohet vrasësi) .” Një burrë nga Jemeni, që quhej Ebu Shah, tha: “Ma shkruaj këtë, o i Dërguari i Allahut!” I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Shënojani këto gjëra Ebu Shahut.” Pas kësaj, dikush nga kurejshët u ngrit dhe tha: “O i Dërguari i Allahut, përveç idhhirit, sepse me të i mbulojmë shtëpitë dhe varret tona.” - “Përveç idhhirit” , - tha i Dërguari i Allahut ﷺ. Transmetimin e Ebu Nuajmit e fuqizon Ubejdullahu nga Shejbani, përkitazi me shprehjen "el-fil" (elefanti), për të cilën shprehje disa të tjerë kanë transmetuar nga Ebu Nuajmi se ka thënë: "el-katl" (vrasja). (Këto dy fjalë, nëse u ndërrohen vendet shenjave të pikësimit, mund të marrin kuptimin e njëra-tjetrës). Ndërkaq, Ubejdullahu ka thënë: "O merret hak për të nga familja e të vrarit.””