“Mekij ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Jezid ibn Ebu Ubejdi se Seleme ibn Ekvai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Gjatë rrugës me Pejgamberin ﷺ për në Hajber, dikush tha: “O Amir, a po na reciton diçka nga poezitë e tua?” Kështu, ai filloi të recitojë poezi. Pejgamberi ﷺ pyeti: “Kush është ky ngasës?” - Amiri, - i thanë. - “Allahu e mëshiroftë!” - tha Pejgamberi ﷺ. Dikush tha: “O Pejgamber i Allahut, sikur të kënaqeshim edhe pak me të?” Amiri u vra në mëngjesin e asaj nate. Disa thanë: “Amirit i janë shkatërruar veprat, se e vrau veten!” Kështu, unë i lashë ata duke thënë se Amirit i janë shkatërruar veprat, shkova te Pejgamberi ﷺ dhe i thashë: “O Pejgamber i Allahut, kurban t'u bëfsha me babë e nënë! Ata po pretendojnë se Amirit i janë shkatërruar veprat!” - “Ka gënjyer kush thotë ashtu. Në të vërtetë, ai ka dy shpërblime: ka qenë i zellshëm dhe luftëtar. E kush nga të vrarët mund t'ia kalojë atij?! - tha Pejgamberi ﷺ.””