“Ubejd ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e ky nga Hishami, e ky nga babai i tij se Ebu Humejd Saidiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ ngarkoi një burrë, që quhej Ibn Lutbije, për të mbledhur zekatin e fisit benu sulejm. Kur u kthye, Pejgamberi ﷺ i kërkoi llogari, e në atë rast ai tha: “Kjo është pasuria juaj, kurse kjo më është dhuruar mua.” I Dërguari i Allahut ﷺ iu drejtua: “Vallë, pse nuk qëndron në shtëpinë e babait a të nënës sate, e të shohim nëse po të vjen ty dhurata, nëse je i sinqertë?” Pastaj na ligjëroi, e falënderoi, e madhëroi Allahun dhe tha: “Unë ngarkoj ndonjërin prej jush, me ndonjë punë të cilën ma ka ngarkuar Allahu, e pastaj ai vjen dhe thotë: “Kjo është pasuria juaj, kurse kjo dhuratë më është dhënë mua.” Vallë, pse nuk qëndron në shtëpinë e babait a të nënës së vet, e të shohim nëse po i vjen dhurata? Betohem në Allahun se, nëse dikush prej jush merr diçka pa hak, në Ditën e Kiametit do ta takojë Allahun duke e bartur atë që ka marrë . Do t'ju njoh nëse e takoni Allahun duke bartur një deve (në shpinë) duke buluritur, ose një lopë duke pëllitur, ose një dele duke blegëruar.” Pastaj i ngriti duart, saqë i dallohej bardhësia e sqetullave dhe tha: “O Allah, a ua kumtova?” Ebu Humejdi shton: “Tërë këtë e kam parë dhe dëgjuar me sytë dhe veshët e mi.””