“Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Jahjai, e ky nga Omer ibn Kethiri, e ky nga Ebu Muhamedi, i çrobëruari i Katades se Ebu Katadja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rrëfen se i Dërguari i Allahut ﷺ, ditën e Betejës së Hunejnit, ka thënë: “Atij që ka vrarë ndonjë armik dhe ka dëshmi për këtë, i takon preja e të vrarit (mjetet e luftës) .” U ngrita që të kërkoj dëshmi për atë që unë e kisha vrarë, por nuk pashë ndokënd që mund të dëshmonte për mua. Posa u ula, më ra ndërmend që këtë t'ia përmendja të Dërguarit të Allahut ﷺ, e në atë rast një burrë nga të pranishmit tha: “Armët e të vrarit që ky njeri po e përmend janë tek unë, por kompensoja atij me diçka e këto të më mbeten mua .” Ebu Bekër Sidiku tha: “Assesi! Nuk i jepet një të dobëtit të kurejshëve duke braktisur një prej luanëve të Allahut, i cili lufton për Allahun dhe të Dërguarin e Tij ﷺ.” Ebu Katadja vazhdon: “I Dërguari i Allahut ﷺ pastaj urdhëroi që ato të më jepeshin mua, pasuri me të cilën bleva një kopsht. Kjo ishte pasuria e parë që e fitova si musliman.” Banorët e Hixhazit kanë thënë: “Gjykatësi nuk bën të gjykojë me njohuritë personale që ka rreth çështjes, qoftë nëse ato njohuri i ka fituar gjatë periudhës sa ishte në detyrë, qoftë para kësaj. Sipas një pjese të tyre, edhe nëse i akuzuari ia pohon tjetrit të vërtetën gjatë seancës gjyqësore, gjykatësit nuk i lejohet të gjykojë kundër tij para se t'i thërrasë dy dëshmitarë për të qenë të pranishëm gjatë pohimit të tij.” Disa banorë të Irakut kanë thënë: “Gjykatësi gjykon vetëm me gjërat që ka parë dhe dëgjuar gjatë seancës, kurse me informatat e marra jashtë seancës nuk gjykon, përveçse me dëshminë e dy dëshmitarëve.” Të tjerë kanë thënë: “I lejohet të gjykojë edhe me informatat e marra jashtë seancës, sepse ai është i besueshëm. Kjo, se qëllimi i dëshmisë është të vërtetojë një pohim, e në këtë rast njohuritë që gjykatësi posedon janë më të forta se dëshmia e kujtdo tjetër.” Disa kanë thënë: “I lejohet të gjykojë me njohuritë e tij nëse fjala është për pasuri (mallra), por jo në gjëra të tjera.” Kasimi ka thënë: “Nuk bën që gjykatësi të marrë vendim gjyqësor duke u bazuar në njohuritë e tij personale rreth çështjes, pa i marrë në konsideratë edhe të dhënat e tjera, përkundër faktit se njohuritë që ai posedon ia tejkalojnë dëshmisë së të tjerëve, sepse një gjë e tillë krijon hapësirë që muslimanët të mendojnë keq për të, si dhe mund t'i fusë ata në paragjykime, ndërsa Pejgamberi ﷺ i ka urryer paragjykimet, saqë (në rastin kur pati dalë natën me gruan e tij) pati thënë: “Kjo është Safija.””