“Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Abde, e këtij i ka treguar Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij se Ebu Humejd Saidiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rrëfen: “Pejgamberi ﷺ e angazhoi Ibn Utebijen për mbledhjen e zekatit të fisit benu sulejm. Pasi u kthye te Pejgamberi ﷺ dhe ai e mori në llogari, Ibn Utebije tha: “Kjo është (dhënë) për ju, kurse kjo tjetra është dhuratë që më është dhuruar mua.” I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Vallë, pse nuk qëndrove në shtëpinë e babait ose shtëpinë e nënës sate, e të shohësh pastaj nëse do të të dhurohej diçka apo jo?!” Pastaj i Dërguari i Allahut ﷺ u ngrit dhe u mbajti njerëzve një fjalim, në të cilin, pasi e lavdëroi Allahun, tha: “E, pas kësaj...! Vërtet ka raste kur unë angazhoj ndonjërin prej jush me ca punë për të cilat Allahu më ka bërë përgjegjës, ndërsa i tilli pastaj vjen dhe na thotë: “Kjo është për ju, kurse kjo më është dhuruar mua!” Vallë, pse nuk qëndron në shtëpinë e babait a të nënës së vet, e të shohë nëse po i dhurohet diçka apo jo, nëse është i sinqertë?! Betohem në Allahun se, ai që merr diçka nga zekati, - Hishami shton: padrejtësisht, - Ditën e Kiametit do të paraqitet para Allahut duke e bartur atë. Do t'i njoh ata që do ta takojnë Allahun duke bartur (në shpinë) një deve, e cila buluron, ose një lopë, e cila pëllet, ose një dele, e cila blegëron.” Pastaj i ngriti duart, saqë ia pashë bardhësinë e sqetullave (dhe tha): “ (O Allah!) A ua kumtova?””