“Seid ibn Telidi na ka thënë: Më ka treguar Ibn Vehbiu, e këtij i ka treguar Abdurrahman ibn Shurejhu dhe të tjerë, e këta nga Ebu Esvedi se Urve tregon: “Abdullah ibn Amri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) bëri haxh me ne, ndërkohë e dëgjova duke thënë: “E kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ duke thënë: “Allahu nuk e largon diturinë duke e hequr atë përnjëherë nga njerëzit, pasi ua ka dhënë atë, mirëpo e largon atë nëpërmjet vdekjes së dijetarëve bashkë me diturinë që kanë, kështu që do të mbesin injorantët, të cilët, kur pyeten, japin përgjigje nga mendja e tyre (pa dije fetare) . Kështu, devijojnë veten dhe të tjerët.” Urve shton: “Këtë hadith ia tregova Aishes, gruas së Pejgamberit ﷺ dhe, kur Abdullah ibn Amri sërish bëri haxh, ajo më tha: “O djali i motrës sime, shko tek Abdullahu dhe ma vërteto atë që ma ke transmetuar prej tij.” Unë shkova ta pyes dhe ai prapë m'i tha të njëjtat fjalë. Kur u ktheva tek Aishja dhe i tregova, ajo u mahnit dhe tha: “Për Allahun, Abdullah ibn Amri e paska mbajtur në mend mirë.””