“Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku nga Zejd ibn Eslemi, e ky nga Ebu Salih Semani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kuajt janë tri llojesh: për dikë janë shpërblim, për dikë mburojë, ndërsa për dikë janë mëkat . Shpërblim janë për atë që rezervon kalin për luftë në rrugën e Allahut dhe, kur e lidh, ia lë litarin të gjatë në kullosë ose kopsht. Çfarëdo që ha nga kjo zgjatje prej kullosës a kopshtit, i llogaritet shpërblim pronarit. Nëse ndodh ta këpusë litarin e zgjatur dhe të ikë një a dy kodra larg, fërkemet dhe bajgat e tij i llogariten shpërblim pronarit. Nëse kalon pranë lumit dhe pi, pa dashur pronari t'i japë ujë, sërish i llogaritet shpërblim pronarit. Pra, kështu kuajt llogariten shpërblim (për këtë pronar). Ndërkaq, ai që mban kalë për qëllime personale fitimprurëse dhe për ta ruajtur nderin, por nuk e harron obligimin që e ka ndaj Allahut për të (të japë sadaka nga ajo që fiton prej tij) dhe për shpinën e tij (të ndihmojë dikë më të dhe të mos e ngarkojë shumë) , i llogaritet mburojë për të (nga varfëria) . Ndërkaq, ai që mban kalë nga krenaria dhe syefaqësia, i llogaritet mëkat . ” Pejgamberi ﷺ është pyetur për gomarët dhe është përgjigjur: “Nuk më ka zbritur shpallje që flet konkretisht për këtë, përveç këtyre ajeteve të përgjithshme e të pashoqe: “Kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë. E kush ka bërë ndonjë të keqe, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë.” (Zelzele, 7-8)”