“Muadh ibn Fedale më ka thënë: Na ka treguar Hishami, e ky nga Katadja se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ditën e Kiametit, Allahu do t'i tubojë besimtarët, të cilët do të thonë: “Sikur të ndërmjetësonim te Zoti ynë (për ta filluar gjykimin) , që të na rehatojë nga ky vend.” Prandaj, shkojnë tek Ademi dhe i thonë: “O Adem, a nuk i sheh njerëzit (në çfarë gjendjeje janë) ?” Allahu të ka krijuar me Dorën e Vet, melekët i ka urdhëruar të bien në sexhde për ty, t'i ka mësuar emrat e çdo gjëje, andaj ndërmjetëso te Zoti ynë për ne, që të na rehatojë nga ky vend.” Ai u thotë: “Unë nuk jam kompetent për këtë" dhe ua përmend gabimin e vet që e ka bërë, pastaj u thotë: “Shkoni te Nuhu, sepse ai është i dërguari i parë që Allahu ua ka dërguar banorëve të Tokës.” Kështu, shkojnë te Nuhu, por ai u thotë: “Unë nuk jam kompetent për këtë" dhe ua përmend gabimin e vet që e ka bërë, pastaj u thotë: “Shkoni tek Ibrahimi ﷺ, miku i Rrahmanit.” Kur shkojnë tek Ibrahimi, ai u thotë: “Unë nuk jam kompetent për këtë punë" dhe ua përmend gabimet e veta që ka bërë, pastaj u thotë: “Shkoni te Musai, një rob të cilit Allahu ia ka dhënë Tevratin dhe i ka folur me fjalë.” Kur shkojnë te Musai, ai u thotë: “Unë nuk jam kompetent për këtë" dhe ua përmend gabimin e vet që ka bërë, pastaj u thotë: “Shkoni tek Isai, robi dhe i dërguari i Allahut, njëherazi fjala dhe shpirti i Tij.” Kur shkojnë tek Isai, edhe ai u thotë: “Nuk jam kompetent për këtë punë, andaj shkoni te Muhamedi ﷺ, një rob që Allahu ia ka falur mëkatet e kaluara dhe të ardhmet.” Kur vijnë tek unë, unë shkoj, kërkoj leje prej Zotit tim dhe më jepet leja (për të vazhduar tutje) . Me të parë Zotin tim, unë i bie në sexhde. Ai më lë ashtu aq sa të dëshirojë, pastaj më thuhet: “O Muhamed, ngrihu dhe fol , do të dëgjohesh, kërko , do të të jepet, dhe ndërmjetëso, do të të pranohet.” Unë do ta lavdëroj Zotin tim me lavdërime që Ai do të m'i mësojë, pastaj do të ndërmjetësoj. Ai do të më përcaktojë një grup (njerëzish) , të cilët do t'i fus në Xhenet. Pastaj kthehem sërish dhe, kur e shoh Zotin tim, bie në sexhde. Ai më lë ashtu aq sa të dëshirojë, pastaj më thuhet: “O Muhamed ngrihu dhe fol , do të dëgjohesh, kërko , do të të jepet, dhe ndërmjetëso, do të të pranohet.” Unë do ta lavdëroj Zotin tim me lavdërime që Ai do të m'i mësojë, pastaj do të ndërmjetësoj. Ai do të më përcaktojë një grup (njerëzish) , të cilët do t'i fus në Xhenet. Pastaj kthehem sërish dhe, kur e shoh Zotin tim, bie në sexhde. Ai më lë ashtu aq sa të dëshirojë, pastaj më thuhet: “O Muhamed ngrihu dhe fol , do të dëgjohesh, kërko , do të të jepet, dhe ndërmjetëso, do të të pranohet.” Unë do ta lavdëroj Zotin tim me lavdërime që Ai do të m'i mësojë, pastaj do të ndërmjetësoj. Ai do të më përcaktojë një grup (njerëzish) , të cilët do t'i fus në Xhenet. Pastaj kthehem sërish dhe them: “O Zoti im, nuk ka mbetur në Zjarr askush përveç atyre që Kurani ka përcaktuar të mos dalin dhe detyrimisht do të qëndrojnë aty përjetësisht.” Pejgamberi ﷺ tha: “Nga Zjarri do të dalë kushdo që ka thënë “La ilahe il-lallah" dhe në zemër ka pasur mirësi, qoftë dhe sa kokrra e elbit. Pastaj nga Zjarri do të dalë kushdo që ka thënë: “La ilahe il-lallah" dhe në zemër ka pasur mirësi, qoftë dhe sa kokrra e grurit. Gjithashtu, nga Zjarri do të dalë kushdo që ka thënë: “La ilahe il-lallah" dhe në zemër ka pasur mirësi qoftë dhe sa një grimcë.””