“Muhamed ibn Muthena na ka thënë: Na ka treguar Abdulvehabi, e këtij i ka treguar Ejubi, e ky nga Muhamedi, e ky nga Ibn Ebu Bekrete se Ebu Bekrete (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Koha është rikthyer siç ka qenë atëherë kur Allahu i ka krijuar qiejt dhe Tokën. Viti është dymbëdhjetë muaj, katër prej të cilëve janë të shenjtë: tre radhazi: dhul kade, dhul hixhe dhe muharremi, si dhe muaji rexheb i fisit mudar , që gjendet mes muajve xhumada dhe shaban. (Pastaj pyeti:) Në cilin muaj jemi?” - Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri, - i thamë. Pastaj heshti, saqë menduam se do ta emërtojë me ndonjë emër tjetër, por tha: - “A nuk është muaji dhul hixhe?” - Po, ashtu është. - “Cili qytet është ky?” - Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri. Pastaj heshti, saqë menduam se do ta emërtojë me ndonjë emër tjetër, por tha: - “A nuk është qyteti i shenjtë?” - Po, ashtu është. - “Çfarë dite është sot?” - Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri. Pastaj heshti, saqë menduam se do ta emërtojë me ndonjë emër tjetër, por tha: - “A nuk është dita e Bajramit të Kurbanit? ” - Po, ashtu është. - “Dijeni mirë se: gjaqet dhe pasuria, - ndërkaq Muhamed ibn Sirini thotë: “Me duket se ka thënë: dhe nderi juaj, - janë të shenjtë sikurse shenjtëria e kësaj dite, në këtë vend, në këtë muaj. Ju do ta takoni Zotin tuaj, i Cili do t'ju pyesë për veprat tuaja. Mos u ktheni në humbje pas meje (pas vdekjes sime) e të vrisni njëri-tjetrin. Të pranishmit le t'ua përcjellin atyre që mungojnë, sepse atij që do t'i kumtohet ndoshta e kupton më mirë se këta që po e dëgjojnë.” Muhamed ibn Sirini, kur e përmendte këtë, thoshte: “Pejgamberi ﷺ e ka thënë të vërtetën.” Pastaj (Pejgamberi ﷺ) tha: “A e kumtova, vallë? A e kumtova, vallë?””