“Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu; [t]: Ismaili na ka thënë: Më ka treguar vëllai im Abdulhamidi, e ky nga Sulejmani, e ky nga Muhamed ibn Ebu Atiku, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ali ibn Husejni, e këtij i ka treguar Husejn ibn Aliu se Ali ibn Ebu Talibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një natë, i Dërguari i Allahut ﷺ na trokiti (në derë) mua e Fatimes, bijës së të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe në atë rast na tha: - “A nuk po faleni?!” - O i Dërguari i Allahut, shpirtrat tanë janë në Dorën e Allahut. Nëse dëshiron të na zgjojë, na zgjon, - i thashë unë. Kur i thashë kështu, i Dërguari i Allahut u largua pa më thënë kurrgjë. Pastaj, teksa largohej, godiste kofshën e tij dhe e dëgjova duke thënë: “Por, njeriu është polemizues më tepër se kushdo tjetër.” (Kehf, 54)”