“Musededi transmeton nga Hushejmi, e ky nga Ebu Bishri, e ky nga Seid ibn Xhubejri se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), për ajetin: “... Gjatë namazit, mos lexo (Kuran) me zë të lartë e as me zë tepër të ulët...”, (Isra, 110) ka thënë: “Ky ajet ka zbritur në kohën kur i Dërguari i Allahut ﷺ qëndronte i fshehur në Mekë. Kur e ngrinte zërin (duke lexuar Kuran) dhe e dëgjonin idhujtarët, e shanin Kuranin, Atë që e ka zbritur dhe atë që e ka përcjellë. Prandaj, Allahu i Lartësuar tha: “... Gjatë namazit, mos lexo (Kuran) me zë të lartë...” , e të dëgjojnë idhujtarët, “... dhe as me zë tepër të ulët...” , saqë shokët e tu të mos e dëgjojnë, “... por kërko një rrugë të mesme”, në mënyrë që të dëgjojnë (shokët), por jo me zë të lartë, ashtu që ta mësojnë Kuranin prej teje.””