“Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi se Mabed ibn Hilal Aneziu tregon: “U tubuam me disa banorë të Basrës dhe, së bashku me Thabit Bunaniun, shkuam tek Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!), që Thabiti ta pyesë për hadithin e ndërmjetësimit, në vend tonin. Enesin e gjetëm në pallatin e vet dhe qëlluam në kohën kur ishte duke e falur namazin e duhasë. Kërkuam leje për të hyrë dhe ai na lejoi. Kur hymë, ai ishte ulur në shtrat. Thabitit i thamë: “Për asgjë mos e pyet para hadithit të ndërmjetësimit.” Kështu, Thabiti iu drejtua: “O Ebu Hamza, këta vëllezërit e tu, banorë të Basrës, kanë ardhur të të pyesin për hadithin e ndërmjetësimit.” Atëherë, Enesi tha: “Muhamedi ﷺ na ka thënë: “Ditën e Kiametit, njerëzit tolloviten me njëri-tjetrin (nga trishtimi) . Prandaj, shkojnë tek Ademi dhe i thonë: “Ndërmjetëso te Zoti yt për ne.” Ai u thotë: “Unë nuk jam për këtë, por shkoni tek Ibrahimi, sepse ai është miku i Rrahmanit (të Gjithëmëshirshmit) .” Kur shkojnë tek Ibrahimi, ai u thotë: “Unë nuk jam për këtë punë, por shkoni te Musai, të cilit i ka folur Allahu .” Kur shkojnë te Musai, ai u thotë: “Unë nuk jam për këtë punë, porse shkoni tek Isai, sepse ai është shpirt i krijuar prej Allahut dhe me Fjalën e Tij.” Ata shkojnë tek Isai, por edhe ai u thotë: “Unë nuk jam për këtë punë, andaj shkoni te Muhamedi ﷺ.” Kur vijnë tek unë, unë u them: “Unë jam për këtë punë.” Kështu, i kërkoj leje Zotit tim dhe Ai më jep leje. Në atë rast, Allahu më inspiron lavdërime me të cilat e lavdëroj Atë, e që tash nuk i di. Kështu, unë e lavdëroj Atë me ato lavdërime dhe i bie në sexhde Atij. Pastaj më thuhet: “O Muhamed, ngrije kokën, fol , do të dëgjohesh, kërko , do të të jepet dhe ndërmjetëso , do të të pranohet.” Unë do të them: “O Zot, umeti im, umeti im!” Atëherë më thuhet: “Shko dhe nxirr prej tij (Zjarrit) çdokënd që në zemër ka besim sa kokrra e elbit.” Atëherë, unë shkoj dhe e bëj këtë. Pastaj kthehem, e lavdëroj me po ato lavdërime dhe i bie në sexhde Atij, e në atë rast më thuhet: “O Muhamed, ngrije kokën, fol , do të dëgjohesh, kërko , do të të jepet dhe ndërmjetëso , do të të pranohet.” Unë do të them: “O Zot, umeti im, umeti im!” Atëherë më thuhet: “Shko dhe nxirr prej tij (Zjarrit) çdokënd që në zemër ka besim sa grimca, - ose ka thënë: sa fara e sinapit.” - Kështu, unë shkoj dhe e bëj këtë. Pastaj kthehem, e lavdëroj me po ato lavdërime dhe i bie në sexhde Atij, e në atë rast më thuhet: “O Muhamed, ngrije kokën, fol , do të dëgjohesh, kërko , do të të jepet dhe ndërmjetëso , do të të pranohet.” Unë do të them: “O Zot, umeti im, umeti im!” Atëherë më thuhet: “Shko dhe nxirr prej Zjarrit çdokënd që në zemër ka besim minimumin e minimumit sa peshon fara e sinapit.” Kështu, unë shkoj dhe i nxjerr prej Zjarrit.” Mabed ibn Hilali shton: “Pasi dolëm nga Enesi, u thashë disa shokëve të mi: “Sikur të ndaleshim pak te Haseni, i cili po qëndron në shtëpinë e Ebu Halifes dhe t'i tregojmë atë që Enes ibn Maliku na tregoi.” Kështu shkuam, i dhamë selam dhe ai na ftoi brenda. I thamë: “O Ebu Seid, erdhëm prej vëllait tënd, Enes ibn Malikut, drejt e te ti. Asnjëherë nuk kemi dëgjuar ndonjë transmetim sikur atë për ndërmjetësimin.” Haseni tha: “Tregomani!” Ia treguam hadithin, por, kur rrëfyesi kreu transmetimin, Haseni i tha: “Vazhdo!” - Nuk na ka treguar më shumë se kaq, - i thamë. Atëherë Haseni tha: “Kur Enesi ishte i fortë, para njëzet vjetësh, ma ka treguar këtë hadith. Mirëpo nuk e di nëse ka harruar ndonjë pjesë apo nuk ka dashur që ju të mbështeteni (në përgëzimin që sjell ky hadith).” - O Ebu Seid, na trego pra ti, - i thamë. Ai qeshi dhe tha: “Njeriu është krijuar i ngutshëm. Nuk jua përmenda këtë veçse kisha për qëllim t'jua tregoj hadithin. Edhe mua më ka treguar siç ju ka treguar juve dhe ka thënë: “Pastaj do të kthehem për herë të katërt, e lavdëroj me po ato lavdërime dhe i bie në sexhde Atij, e në atë rast më thuhet: “O Muhamed, ngrije kokën, fol , do të dëgjohesh, kërko , do të të jepet dhe ndërmjetëso , do të të pranohet. Unë do të them: “O Zot, më lejo (të ndërmjetësoj) për çdokënd që ka thënë: “La ilahe il-lallah.” Atëherë Allahu më thotë: “Për krenarinë, madhështinë, lartmadhërinë dhe madhërinë Time do të nxjerr prej tij (Zjarrit) çdokënd që thotë: “La ilahe il-lallah.””