“Abdulaziz ibn Abdullahu na ka thënë: Më ka treguar Sulejmani nga Sherik ibn Abdullahu se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rrëfen për natën e Israsë, kur i Dërguari i Allahut ﷺ udhëtoi prej Xhamisë së Qabesë. Para se t'i vinte shpallja, i vajtën tre burra teksa ai po flinte në Xhaminë e Qabesë. I pari tha: “Cili prej këtyre është ai?” I mesmi iu përgjigj: “Më i miri i tyre.” Pastaj njëri prej tyre tha: “Merreni më të mirin e tyre.” Kjo pati ndodhur atëkohë, e, që atëherë Pejgamberi ﷺ nuk i kishte parë në ëndërr, derisa i erdhën një natë tjetër. Atij sytë i fle, por jo edhe zemra. Kështu janë pejgamberët, sytë u flenë, por jo edhe zemrat. (Kur erdhën) pa folur fare e morën dhe e vendosën te pusi Zemzem. Pastaj e mori Xhibrili, i cili ia çau gjoksin prej trakesë deri te diafragma, ia zbrazi dhe brendësinë e tij e lau me ujë Zemzemi me dorën e vet, derisa e pastroi mirë. Pastaj Xhibrilit i sollën një tas prej ari, në të cilin kishte një enë (më të vogël) po ashtu prej ari, të mbushur me besim dhe urtësi, me të cilën ia mbushi gjoksin dhe damarët qafës, pastaj ia mbylli. Pas kësaj u ngjitën së bashku në qiellin e dynjasë. Xhibrili trokiti në një nga dyert e tij, e në atë rast banorët e qiellit e thirrën: - Kush është? - Xhibrili, - u përgjigj ai. - E kush është me ty? - pyetën. - Me mua është Muhamedi, - tha ai. - I është dërguar shpallja? - pyeti (roja). - Po. - Mirë se ka ardhur! Sa mirë që ka ardhur! - thanë ata. Banorët e qiellit u gëzuan nga kjo gjë. Ata nuk kanë njohuri se çfarë dëshiron të bëjë Allahu me urdhrin e Tij në Tokë, derisa t'u tregojë Ai vetë. Në qiellin e dynjasë e gjeti Ademin. Xhibrili iu drejtua: “Ky është babai yt, Ademi, jepi selam!” Pejgamberi ﷺ e përshëndeti me selam dhe ai ia ktheu e i tha: “Mirë se ke ardhur, o bir! Sa bir i mirë që je!” Në qiellin e dynjasë i pa dy lumenj duke rrjedhur, andaj pyeti: “Cilët janë këta dy lumenj, o Xhibril?” - Këta dy janë burimet e Nilit dhe Eufratit, - tha Xhibrili. Pastaj vazhduan tutje në qiell, ku panë një lumë tjetër, mbi të cilin ngrihej një pallat prej margaritari dhe akuamarini. Pejgamberi ﷺ e futi dorën në lumë, për të kuptuar se lymi i tij ishte myshk me aromë të fortë. Pejgamberi ﷺ pyeti: “Çka është ky, o Xhibril?” - Ky është Keutheri që Zoti yt e ruan për ty, - tha Xhibrili. Pastaj u ngjitën së bashku në qiellin e dytë, ku melekët ia bënë të njëjtat pyetje si herën e parë: - Kush është? - Xhibrili, - u përgjigj ai. - E kush është me ty? - pyetën. - Muhamedi ﷺ , - tha ai. - I është dërguar shpallja? - pyeti (roja). - Po. - Mirë se ka ardhur! Sa mirë që ka ardhur! - thanë ata. Pastaj u ngjitën në qiellin e tretë, ku ia bënë të njëjtat pyetje si në dy qiejt e parë. Pastaj u ngjitën në qiellin e katërt, ku ia thanë të njëjtat fjalë. Pastaj u ngjitën në qiellin e pestë, ku ia thanë të njëjtat fjalë. Pastaj u ngjitën në qiellin e gjashtë, ku ia thanë të njëjtat fjalë. Pastaj u ngjitën në qiellin e shtatë, ku ia thanë të njëjtat fjalë. Në çdo qiell kishte pejgamberë, të cilëve ua përmendi emrat, porse unë i mbajta në mend vetëm këta: Idrisin në qiellin e dytë, Harunin në të katërtin, një tjetër në të pestin, emrin e të cilit nuk e mbajta në mend, Ibrahimin në të gjashtin dhe Musain në të shtatin, pozitë kjo për shkak të vlerës së të folurit me Allahun. Musai tha: “O Zot, nuk kam menduar se dikush do të ngrihet më lart se unë.” Pastaj e ngritën mbi këtë, në lartësi që vetëm Allahu i di, derisa arriti te Sidretu Muntehaja. I Gjithëfuqishmi, Zoti i madhështisë, iu afrua aq shumë saqë mes tyre kishte distancë sa dy harqe, ose edhe më afër. Allahu i shpalli, dhe ndër gjërat që ia shpalli ishin edhe pesëdhjetë namazet për umetin tënd çdo ditë e natë. Pastaj u lëshua teposhtë derisa arriti te Musai, i cili e ndali dhe i tha: “O Muhamed, çfarë të obligoi Zoti yt?” Ai i tha: “Më janë obliguar pesëdhjetë namaze gjatë ditës dhe natës.” Musai i tha: “Umeti yt nuk mund ta përballojë këtë, andaj kthehu dhe kërko prej Zotit tënd të ta lehtësojë ty dhe umetit tënd (numrin e namazeve). Pejgamberi ﷺ e shikoi Xhibrilin, sikur donte të konsultohej rreth kësaj, andaj Xhibrili i bëri me shenjë: “Po, nëse do.” Kështu, u ngjitën sërish tek i Gjithëfuqishmi dhe, duke qenë në vendin e vet, tha: “O Zot, na e lehtëso, sepse umeti im nuk mund ta përballojë këtë.” Kështu, Allahu ia hoqi dhjetë namaze. Pastaj u kthye derisa arriti te Musai, i cili sërish e ndali. Musai vazhdoi ta kthente te Zoti i tij, derisa u bënë pesë namaze. Kur u bënë pesë namaze dhe Musai e ndali, i tha: “O Muhamed, po të betohem në Allahun se i kam kërkuar popullit tim, benu israilëve, edhe më pak se kaq, porse u dobësuan dhe e lanë (namazin). Ndërsa umeti yt janë edhe më të dobët: me fizikë, me zemra, me trupa, me shikim e me dëgjim, andaj kthehu le të ta lehtësojë Zoti yt.” Pejgamberi ﷺ çdo herë kthehej nga Xhibrili që ai t'i jepte ndonjë sugjerim, gjë të cilën Xhibrili nuk e urrente. Kështu, e ngriti për herë të pestë, ku Pejgamberi ﷺ tha: “O Zot, umeti im kanë fizikë, zemra, dëgjim dhe trupa të dobët, andaj na e zbut edhe pak!” - O Muhamed, - iu drejtua i Gjithëfuqishmi. - Të përgjigjem me kënaqësi, - i tha Pejgamberi ﷺ . - Tek Unë fjalët nuk ndryshojnë. Mbetet ashtu siç t'i kam obliguar në Pllakën e Ruajtur (Leuhi Mahfudh), - tha Allahu Urtiplotë, - çdo e mirë shpërblehet dhjetëfish. Prandaj, ato janë pesëdhjetë në Pllakën e Ruajtur, kurse për ty obligim janë vetëm pesë. Kështu, Pejgamberi ﷺ u kthye te Musai, i cili e pyeti: “Çfarë bëre?” - Na e lehtësoi. Për çdo të mirë na dha dhjetëfishin e saj, - tha Pejgamberi ﷺ . - Betohem në Allahun se u kam kërkuar benu israilëve edhe më pak se kaq, porse e lanë. Kthehu te Zoti yt, që të ta lehtësojë edhe më shumë! - tha Musai. - O Musa, pasha Allahun, më vjen turp nga Zoti im, se shumë herë i shkova, - tha i Dërguari i Allahut ﷺ . Atëherë i tha: “Lëshohu teposhtë me emrin e Allahut!” Kështu, Pejgamberi ﷺ u gdhi në Xhaminë e Qabesë.”